January 18, 2017

Gënjeshtra i ka këmbët… si të Gridës


Gënjeshtra i ka këmbët… si të Gridës. OSBE përgënjeshtron PD-në
Partia Demokratike akuzoi sot përmes Grida Dumës kryebashkiakun Veliaj se ditën e hënë nuk ka qenë në Tiranë për t’u kujdesur për punën publike, por ka udhëtuar me charter privat drejt Parisit.

Veliaj i mohoi akuzat, duke publikuar axhenden e ditës së Hënë, ku deklaroi se mes të tjerave ishte takuar edhe me ambasadorin e OSBE, Borschardt dhe atë austriak, Sattler.


Nisur nga këto replika midis PD-së dhe Bashkisë së Tiranës, Dita kontaktoi me zyrën për media të OSBE-së ku kërkoi një sqarim nëse kryebashkiaku Veliaj është takuar ditën e hënë me ambasadorin Bernd Borschardt.


Në sqarimin e OSBE për DITA thuhet:

“Ambasadori i OSBE-së Borchardt dhe ai i Austrisë Sattler zhvilluan një takim me kryetarin e bashkisë Veliaj më 16 janar, në orën 11:00, në mjediset e Bashkisë, për të diskutuar projekte të përbashkëta në kuadër të kryesisë austriake të radhës të OSBE-së”.



*    *    *





December 19, 2016

R.I.P. Mr. Ambassador





*   *   *


December 8, 2016

Dy Mimi dhe një qymyr i djegur

Mimi Kodheli dhe Ursula Von Der Leyen

Sido që të jetë, efektin si lajm prej “shoubizi” një titull grek mbi ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e arriti. Sepse kurioziteti është i garantuar pavarësisht se kush e thotë, kur dëgjon që Kodheli dikur, në fillim të viteve 90-të paska punuar si balerinë në Athinë.

Pastaj, kur vëren që kësi lloj llogjesh janë shkruar në një faqe online që quhet militaire.gr, e kupton që reagimi nga ana tjetër e kufirit qenka “ushtarak”.

Njëfarë kthim restoje, mesa duket, ndaj komentit ende të freskët të ministres ndaj homologut të vet të çatrafiluar, që del para kamerave me uniformë ushtarake teksa takon ushtarët.

Për t’u thënë se “unë jam një prej jush, mos më shihni si ministër nga halli, si patericë ekstra e djathtë e një qeverie ekstra të majtë”.

Kurioziteti mund të mbaronte këtu, sepse materiali në fjalë nuk ofronte asgjë tjetër veç një fjalie. Duke vijuar pastaj me thirrjen që Kodheli të mos i bashkëngjitet retorikës nacionaliste të kryeministrit të saj, sepse “ka ngrënë bukë” në Greqi derisa i doli një shkollë në Amerikë.

Por problemi është që paçavuren në fjalë, një çerek shantazhi i maskuar keq, e ka shkruar një gazetar me përvojë të gjatë në mediat greke.

Autori është Paris Karvunopulos, që e ushtron zanatin (jo të qymyrxhiut siç sugjeron mbiemri) e gazetarit që nga viti 1986.

Paris Karvunopulos, autori i shkrimit

Referencën për “balerinën Kodheli” ai thotë se e ka marrë nga kolegu i vet Kristos Kapuccis, dhe vetëm kaq. Thjesht e përdor në një rresht dhe vazhdon me paralajmërimet e veta.

Karvunopulos është reporter i lajmeve ushtarake dhe ka punuar në disa media qendrore, pra nuk mund të injorohet lehtë. Jo për gjë, por sepse përderisa e kanë përdorur në këtë farë feje, domethënë se shantazhi është i porositur.

Ndoshta edhe nga qypi-ministër Kamenos, (i djegur, përkthimi i mbiemrit të ministrit të Mbrojtjes), që mbase zanati i balerinës i erdhi ndërmend për Kodhelin si reflektim i problemeve personale me mbipeshën.

 Ministri Panos Kamenos

Por përtej thashethemeve rozë me politikanë e ministra, ironia është se Karvunopulos nxjerr një koment-pseudolajm që pastaj xhiron edhe mediat e tjera online greke, me etiketën e “skandalit shqiptar”.

Dhe shakaja qëndron në faktin se Athina u skandalizoka me kësi titujsh, kur kryeministri i vet dhe politikani historik Andreas Papandreu, e bëri hasha në mes të ditës dhe në krye të detyrës familjen e vet dhe u marros pas një stjuardese, Dhimitra Liani.

Deri aty sa Dhimitra (shtohet ironia: Shkurt i thonë Mimi) e vuri në darë Papandreun e shkretë dhe erdhi puna që Mimi e tyre të bënte politikat në Pasok dhe të ulte e ngrinte ministrat në qeveri.

Dimitra Liani Papandreu (Mimi)

E nxorrën Miminë me dashnorë, e fotografuan nudo, madje në pozicione të sikletshme me qen e me mace, çfarë nuk i thanë… Por ja që u sikletoskërkan nga Mimi shqiptare që besojnë se mund ta njollosin përmes një rreshti paçavure.

Për t’u kthyer në seriozitet, e vërteta është se ka një problem në koalicionin qeverisës grek. Një shumicë të pamjaftueshme të majtë, e mban në këmbë një grusht votash të Grekëve të Pavarur të Panos Kamenos.

Ky, i djeguri për ministër Mbrojtjeje, me siguri nuk e ka pritur mirë reagimin (et) e Kodhelit dhe në përgjithësi, Athina zyrtare po befasohet sesi ka mundësi që Tirana së fundi thotë dhe ndonjë fjalë, dhe nuk rri lepe-peqe si qëmoti.

Për të forcuar profilin e vet politik prej obezi luftarak, I Djeguri vuri veteranin Qymyrxhi ta bëjë Mimin e Tiranës balerinë, duke pretenduar një skandal me fishekë manovre.

Ndërkohë që Mimitë e Athinës e kanë qeverisur Greqinë për vite të tëra vetëm me një palë brekë. Derisa erdhi puna që e lanë edhe pa to…
Dita


*   *   *