"

September 21, 2015

A ka një numër të saktë të shqiptarëve në botë?!


Për afro 50 vjet me radhë të sundimit i regjimit komunist Shqipëria e mbyllur në guackën e tij “si i vetmi vend socialist në botë” nuk e njohu emigracionin e jashtëm. Dhe as bëhej fjalë të ishte në strategjinë e tij një gjë e tillë. Kurbeti kishte mbetur vetëm në folklor, si një plagë shoqërore historike. Emigrimi konsiderohej si një akt tradhtie i dënueshëm me vdekje ose burgim pa afat. Aparati represiv i regjimit ideologjik Marksist-Leninist të Enver Hoxhës kontrollonte nga afër të gjitha aspektet e jetës shqiptare, duke bindur shtetasit e këtij vendi, që ata jetonin në një parajsë komuniste. Fatkeqësisht për regjimin, shumë shqiptare gjatë viteve të fundit të komunizmit, patën mundësi të shikonin një parajsë tjetër alternative, gjatë ndjekjes fshehurazi të televizionit italian.

Në mungesën e një statistike të saktë, si në vendin tonë, por edhe në vendet pritëse, ku ka shumë emigrantë të pa legalizuar, mendohet se 1/3 popullsisë janë jashtë.

Tashmë emigracioni nuk konsiderohet si një plagë, me gjithë problemet e shumta që mbart në vetëvete, por si një zgjidhje sociale. Të ardhurat nga emigracioni në periudhën e tranzicionit kanë ëmbëlsuar bukën e familjeve shqiptare.

Një llogari e vështirë

Në një shkrim të paradokohëve të shqiptaro-amerikanit Geri Kokalari jepen të dhëna për numrin e shqiptarëve si atyre brenda vendit, brenda trojeve shqiptare ashtu edhe atyre që jetojnë nëpër botë, si për ata që kanë gjak shqiptari, ashtu edhe emigrantët e sotëm. Po t’u referohesh të  dhënave demografike të tij, studimeve të ndryshme, por edhe burimeve historike tonat dhe të huaja, si dhe po të vësh një çikë në punë mendjen me disa llogari të përafërta, rezulton se në gjithë botën numërohen mbi 15 milionë shqiptarë. Në këtë numër nuk janë të gjithë shqiptarë autoktonë, apo emigrantë, por ka edhe nga ata që kanë me breza të shpërngulur, të asimiluar në atë farë mënyre që nuk mund t’i quash më shqiptarë, pasi jo vetëm që s’kanë lidhje me dheun dhe të afërmit e tyre, por kanë harruar edhe gjuhën. Në një farë mënyre nuk di si të bësh, t’i futësh këta në llogari apo jo.

Pa një evidencë, pa një regjistrim zyrtar!

Psh, thuhet se në Turqi banojnë 5 milionë shqiptarë. Po të marrësh parasysh lëvizjet e shqiptarëve në shekuj në këtë vend, lëvizjet me forcë të kosovarëve dhe çamëve, ndoshta janë edhe më shumë, por po të marrësh parasysh gjendjen faktike sa ata ndihen apo janë në të vërtetë shqiptarë, ky numër mund të jetë më i vogël. Në Greqi jepet shifra prej 1 milion shqiptarësh, që po të bësh disa lidhje logjike të thjeshta matematikore, llogaria të del se atje, bashkë me ata me gjak shqiptari, shifra mund të jetë shumë më e lartë. Para disa ditësh, Presidentja e Këshillit të Shoqatave shqiptare të Greqisë, deklaroi në Parlamentin Grek:  “Ne jemi 700 000 shqiptarë në Greqi. Përse nuk e dini ju zotërinj? Ne duam të na ndihmoni. Emigrantët shqiptarë kanë dhënë shumë për ekonomisë greke. Ne paguajmë taksat dhe sigurimet. Ne kemi ndërtuar Greqinë, kemi mbajtur fëmijët dhe prindërit tuaj”. Pra, sipas saj, në Greqi janë 700 mijë emigrantë. Po shqiptarët e më parshëm, arvanitasit, çamët e mbetur atje, vllehët e shpërngulur me forcë nga Shqipëria, numëri mund të jetë shumë më i lartë.

Ne si shtet nuk kemi struktura të tilla që të dinë për fatin e shqiptarëve, qoftë të hershëm (të dinë historinë dhe ecurinë e tyre), qoftë për emigrantët e rinj (të 20 viteve të fundit), për të cilët shteti ka detyrime. Më e pakta e të paktave ishte të kishte një evidencë të saktë të numrit të tyre, të vendndodhjes, të statusit me një apo dyshtetësi, shkallës së asimilimit etj.etj.

Të vetmet të dhëna zyrtare për shpërndarjen e shqiptarëve në botë janë regjistrat e CIA-s, edhe këto të pra pesë vjetëve. Sipas statistikave të fundit të CIA-s, në librin e të dhënave “FactBook”, rezultojnë 3 milionë 800 mijë shqiptarë. Ndërkohë në Kosovë janë rreth 2 milionë e tetëqind mijë shqiptarë autoktonë. Në Maqedoni llogaritet që shqiptarët të venë në 1 milion e pak. 1 milion jetojnë dhe në Greqi.

Ku janë shqiptarët?!…

Demografë të ndryshëm, studiues, historianë japin shifra kondradiktore si këto që dhamë më lartë, por po të bësh një mesatarizim del po aty. Sipas të dhënave të tyre del se në Turqi llogaritet të jenë rreth 5 milionë shqiptarë. Sigurisht kjo shifër nuk përfshin të gjithë shqiptarët që kanë ikur nga trojet e tyre, por edhe shqiptarët që janë shkrirë me popullsinë vendase. Numri më i madh i shqiptarëve është në Stamboll, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë përgjatë kufirit turko-sirian. Ndërsa në Mal të Zi, sipas statistikave, jetojnë rreth 200 mijë shqiptarë, 70 mijë shqiptarë jetojnë në Serbi, në krahinën e Preshevës.

Të hidhemi tani pak më larg. Që nga emigrantët e parë në fillim të shekulli të kaluar e deri më ditët tona, në Amerikë llogaritet të jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë. Ndërsa në Evropë duket se ka një shpërndarje “të rregullt” të emigrantëve shqiptarë me diferença të vogla. Kështu në Gjermani emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Mali i Zi llogaritet të jenë rreth 300 mijë. Austria është një tjetër vend me numër të konsiderueshëm shqiptarësh, rreth 300 mijë të tillë. 200 të tjerë, sipas të dhënave të shoqatave ndërkombëtare që merren me emigracionin, jetojnë në Gjermani dhe po 200 mijë në Zvicër. Po ashtu edhe emigrantët që janë larguar nga trojet shqiptare drejt Kandasë llogaritet të jenë rreth 25 mijë. Rreth 100 mijë shqiptarë jetojnë në Francë, ndërsa 50 mijë të tjerë në Spanjë.

Vizat, megjithëse një masë e vonuar, përsëri fitore

Vendosja e regjimit të vizave, që mundësoi lëvizjen e lirë të shqiptarëve nëpër Europë, megjithëse e vonuar, qe një fitore e madhe për shqiptarët. Tani ata mund të udhëtojnë të lirë nëpër Europë dhe botë, pa u denigruar si deri dje dhe pa kërkuar rrugë dhe mjete mesjetare dhe të rrezikshme për të lëvizur.

Valë e re emigrimi të  paligjshëm për në Gjermani

Gati 80 mijë shqiptarë kanë shkuar këto kohët e fundit në Gjermani, një pjesë e mirë janë kthyer dhe pjesa tjetër është gati për t’u kthyer. Në emër të refugjatëve të luftës nga Siria, trafikantë dhe spekulatorë të trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian, Spanjë, Francë, Gjermani, kanë shfrytëzuar rastin për lulëzimin e biznesit të tyre famëkeq. Europa sot përballohet me një problem të madh, pritjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme, por edhe nga vendet e Ballkanit. Masat e marra deri tani nuk janë efikase. “Zonat e Sigurta” si Shqipëria dhe disa vende të Ballkanit perëndimor nuk janë aspak të sigurta, Greqia, Maqedonia, Hungaria po ndeshen me valë  të papërballueshme emigrantësh, ashtu siç edhe dita ditës po mbushet Europa. Zgjidhja me sa duket është e vështirë, por edhe rreziku është iminent për Europën.

Ku janë shpërndarë 15 milionë shqiptarët

Në Shqipëri………3.800 milionë

Në Kosovë……….2.6 milionë

Në Turqi…………..4-5 milionë

Në Maqedoni……1 milion

Në Greqi………….1 milion

Në Itali……………500 mijë

Në Mal të Zi…….200 mijë

Në SHBA…………300 mijë

Në Gjermani………200 mijë

Në Francë………….100 mijë

Në Spanjë………….50 mijë

Në Kanada………..200 mijë

Në Australi………..100 mijë

Në Belgjikë………..100 mijë

Në Austri……………300 mijë






*    *    *







No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!