"

September 23, 2015

30 MLN DOLLARËT / Gropa septike e CEZ që vazhdon të nxjerrë mut

Çështja CEZ-DIA dhe implikimet politike të këtij skandali ishin dje ndër kryefjalët e parlamentit në seancë plenare. Për t’u orientuar në rrëmujën e fakteve dhe akuzave dhe shpesh ngatërrohen me njëra tjetrën, historia duhet këqyrur kronologjikisht.

CEZ privatizoi kompaninë shqiptare të shpërndarjes së energjisë elektrike OSSH, më 2009, duke blerë shumicën e aksioneve. Në vijim, kompania dha licenca për 7 kompani që do mblidhnin borxhet e prapambetura të energjisë duke marrë përqindjen e tyre. Këto kompani ishin dhurata politike nga ana e CEZ për klientët e qeverisë Berisha, ku më e përfolura mes tyre ishte Debt International Advisory (DIA) me pronar Kastriot Ismailaj, partneri i CEZ për mbledhjen e borxheve në Shqipëri, që futi në xhep paratë e kontratës pa bërë asnjë punë reale.

Në janar 2013 qeveria shqiptare i hoqi CEZ Shpërndarje licencën, duke (praktikisht) e shtetëzuar atë. CEZ për rrjedhojë nisi proces arbitrazhi kundër Shqipërisë për dëmet. Mosmarrëveshja u zgjidh pasi Tirana, nën presion nga Republika Çeke lidhur me statusin e vendit kandidat për anëtar në BE, i pagoi CEZ-it 95 milionë euro për të rimarrë pronësinë e kompanisë.

Më pas, një investigim i BIRN zbuloi kornizën e plotë të zhvillimeve: Ishte ish kreu i bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hejsek që bashkë me Ismailajn u akuzuan se ishin organizatorët e një skeme mashtruese të mbledhjes së borxheve e cila i kushtoi kompanisë miliona euro. Pra, lojë nga brenda. Ndërkaq, zgjidhja e kontratës së CEZ me Ismailajn, bëri që ky të padiste CEZ në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit për 130 mln euro.



Arrestimet dhe implikimet

Hejsek hetohet në vendin e tij për abuzime me detyrën, ndërsa Ismailaj aktualisht është i arrestuar që nga maji 2015 nën akuzën e skemës së mashtrimit në shuma të mëdha. Biznesmeni akuzohet se përdori dokumente false për të fituar kontratën me CEZ Shpërndarje, ndërsa drejtuesit e CEZ bënin një sy qorr. Që nga ky moment e në vazhdim, në skenën politike shqiptare janë hedhur akuza se për llogari të kujt dhe me ndihmën e cilëve politikanë operonte Ismailaj.

Avokati i palës shqiptare në gjyqin mes CEZ dhe DIA, Tim Schreiber i studios së njohur “Clifford Chance”, do të deklaronte përmes dokumenteve të paraqitura në gjyq se njeriu që ndikoi në futjen e DIA-s në lojë ishte “një ish-kryeministër i proceduar edhe më parë për korrupsion”.

Opozita e djathtë e lidhi këtë përshkrim me Ilir Metën. DITA, sipas burimeve të mirëinformuara raportoi se personi në fjalë është Vilson Ahmeti, ish kryeministër në fillim të viteve 90-të. Ka qenë vëllai i tij Petrit Ahmeti, atëherë këshilltar dhe aktualisht kreu i ERE-s, që ndihmoi kompaninë e të vëllait AIC, e cila kishte marrëveshjen me DIA-n.



Nuk qe i vetmi mbledhës borxhesh…

DIA e Ismailajt nuk qe kompania e vetme që u angazhua në skemën e mbledhjes së borxheve të CEZ në Shqipëri. Një raport konfidencial i përgatitur nga kompania e kontabilitetit BDO, thotë se CEZ Shpërndarje hyri në marrëveshje për mbledhjen e borxheve më 2012 me së paku katër kompani të tjera, përfshirë Mercl Consulting Sh.p.k, CE2 Services Sh.p.k, CE2 Debt Management Sh.p.k dhe CE2 Debt Management Sh.p.k.

Për nëntë muajt e parë, deri në shtator 2012, kompanive iu paguan 3 milionë euro dhe totali për vitin 2012 pritej të ishte 4.4 milionë euro. Këto para, të dhëna pa punë reale të kryer, ashtu si me Ismailajn, dëshmojnë për një klientelizëm të pastër ose shpërblime për njerëz të fuqishëm në qeveri.



Denoncimi i fundit

Ndërsa pardje në mbrëmje diskutohej kjo çështje në emisionin “Opinion” të Tv Klan, gazetari Artan Hoxha tha se një dëshmitar i marrë nën mbrojtje i cili po i ndihmon zbardhjes së çështjes, është kërcënuar nga një përfaqësues i qeverisë shqiptare, jurist në OSHEE, që t’i japë fund nxjerrjes së sekreteve.

Madje për këtë “ngjarje” ekziston edhe një video. Dëshmitari është Elvis Mataj, ish drejtor tek DIA, pastaj i dorëhequr. Juristi quhet Rezart Ruçi, dhe pas përmendjes së emrit ai ndërhyri në emision, duke pohuar takimin me dëshmitarin. Por nuk ka pranuar se e ka kërcënuar bashkëbiseduesin, por vetëm për t’u informuar dhe për të mbrojtur interesat e kompanisë ku punon. Ideja e denoncimit ishte që Ruçin e kishte dërguar Ilir Meta.

Një ditë para emisionit, sipas faqes online Syri, një sponsorizim i përfolur i familjes Berisha,

moderatori Blendi Fevziu ishte mbi një orë në zyrën e Kryeprokurorit Adriatik Llalla. Kuptueshëm, shqetësimi i tij duhet të ketë qenë nëse kishte ndonjë “pengesë ligjore” mbi përmbajtjen e videos që pritej të shfaqej në emision.



“Çikërrimat” dhe vjedhja e madhe

Gjithsesi, goditja që “nuk po përflitet” dhe aq shumë lidhur me aferën e madhe me emrin CEZ, është

se zyrtarët e lartë të qeverisë Berisha, nën trysninë e ryshfeteve të ÇEZ-it kanë ulur çmimin e shitjes të energjisë për këtë kompani, duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 30 milionë dollarësh.

Firma e ministrit të Financave Bode dhe kryeministrit Berisha janë shkaktare të një grope nga ato që duhet vite dhe shumë sakrifica për t’u mbushur.

Vetë deputeti Berisha, njeriu që e shiti për 100 mln euro OSSH-në vetëm për të futur letrat në presidencën çeke në kërkim të statusit të vendit kandidat në BE, kërkoi dje në Kuvend “një hetim ndërkombëtar” për veprimtarinë e CEZ-it në Shqipëri dhe personat e implikuar.

Por çështja është se asnjë ndërkombëtari nuk i intereson shumë operacioni CEZ në Tiranë, që erdhi, bëri miliona e iku; përkundrazi, ajo që duhet të veprojë është drejtësia shqiptare. Dhe 30 milionëshi i dollarëve të uljes së çmimet, i bie të jetë vetëm një nga majat e ajsbergut të firmave të rënda që Berisha dhe ministrat e tij kanë hedhur pa asnjë teklif / DITA

*    *    *





No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!